I PRIVILEGJUAR

(kliko ketu  per te shkarkuar katallogun e plote ne format pdf)

“Gogoli”, “Kujdes nga gogoli” dhe “Mos u largo se të del gogoli” janë “këshillat” më të herëshme që mbaj mend të më jenë ofruar nga kuzhinierja dhe bahçevani, kur vinte mbrëmja. Në oborrin e shtëpisë së viteve 60, krijesat që ma shpifnin ishin buburreci i çuditshëm, koleopteri i stërmadh që shfaqej hera-herës në parcelën e luleshtrydheve, si edhe lakuriqët e natës me trajektoret e tyre befasuese midis pishave dhe palmës së tharë. Sa për gogolin, ky imazh i sforcuar nuk më bënte dhe aq përshtypje. Në përfytyrimet e mia të fëmijërisë, gogoli ishte një krijesë jo e madhe, kryesisht në ngjyrë të errët, kaotike dhe pa tipare. Një krijesë pa tipare është një krijesë pa personalitet edhe në botën e frikës…

Nga rrëfimet e gjyshit, në plazhin e Durrësit, do të vërshonin bujarisht karakteret e para me personalitet që populluan arenën e imazheve të fëmijërisë sime dhe kthjelluan kaosin. Magjia e baba Lonit fillonte në darkë, përpara gjumit, në dhomën me verandë ku shtriheshim gjatë netëve të nxehta. Oshëtima e valëve të detit më injektonte mornicat e një preludi që do të pasohej nga krijimet më të famshme të imagjinatës njerëzore. I kërkoja të më rrëfente gojëdhënën e rradhës dhe, si punë e parë, baba Loni qeshte nën zë. Është botërisht e njohur parandienja e gjyshit që ka bërë gati rrëfimin, që dashuron të rrëfejë për nipin dhe sadopak edhe të krijojë për nipin…

Polifemi, Minotauri, Argusi, Gorgona Meduzë apo Shilla me Karibdën ishin figura vërtet të frikshme, sepse ishin krijimet e një imagjinate që nuk përjashtonte asnjërën pej lidhjeve të saja me ashpërsitë kozmike dhe tokësore. Forcat e verbëra të qiellit dhe të tokës kombinoheshin me perversitetin dhe irracionalitetin e sjelljes njerëzore, duke modeluar në këta përbindësha mitologjikë simfoninë e së keqes. Forcat e së mirës modeloheshin në figurat e heronjve që plotësonin anën tjetër të medaljes, atë më të dashurën, në Herkulin, Tezeun, Perseun, Jasonin apo Uliksin. Si krijime të një imagjinate e cila gjente harmoni në çdo raport të saj me gjithësinë, këto figura përfaqësonin gjithçka të virtytshme, të bukur dhe madhështore që bota e perceptuar nga antikët mundi të projektonte në subjektin njerëzor…

Universi fenomenal personifikohej kështu në një botë të larmishme subjektesh ideale, e cila funksiononte sa herë që kufiri midis realitetit dhe figurës asgjësohej. Çarja e këtij kufiri përbënte kushtin e krijimit, synimin e njohjes dhe sfidën ndaj “asgjësë” pa tipare dhe pa personalitet. Mëria e Akilit, dinakëria e Uliksit, bukuria e Helenës dhe çdo ngjarje që filtronte gjurmët njerëzore në mekanizmat përjetësonjëse të simbolit dhe të artit, ishin të vetmet magji të besueshme dhe me personalitet për fëmijën. Elementi hyjnor dhe ai njerëzor duhej të bëheshin një, duhej të çiftoheshin në imagjinatën e djaloshit që do të përballte dritën e ditës dhe errësirën e natës. Ishte rituali i vertetë i Iniciacionit, ishte lartësia e privilegjuar – e ndërtuar sipas ligjeve të krijimit – ku njerëzit dhe hyjnitë komunikonin pa mëkatuar.

Me parimin hyjnor komunikohej vetëm përmes artit. Realiteti nuk ishte art. Kopja gjithashtu nuk ishte art: kopja nënkuptonte suksesin e simulimit përballë reales, një nënkuptim ky sa qesharak aq edhe fyes për artin. Përvoja e fotografisë afirmonte vlerat e pavdekshme të arteve pamore dhe dëshmonte se edhe arti i fotografisë nuk ishte “kopja”.

Imazhet e mitologjisë nuk ishin kopje të realitetit. Figurat e mitologjisë ishin krijime që evokonin art dhe frymëzonin art për shekuj dhe mijëvjeçarë… Mitologjia nuk ishte zigura (Akkadian ziggurat ndërtime massive në luginën e lashtë Mesopotamiane, në formë piramidash të tarracuara) i ndërtuar me qerpiç…

***

Gjatë mëngjesit të kthjellët, vështroja linjën e horizontit ku qielli bashkohej me detin dhe mezi e besoja që ajo skenë ishte e vërtetë. Pamja e madhërishme më depërtonte në çdo qelizë së bashku me frymëmarrjen dhe më bënte të ndihesha i privilegjuar. Pranë këmbëve të mia, milingonat qarkullonin mbi grimcat e dheut, brenda dhe jashtë panoptikonit(godinë në formë rrethore, e konceptuar për herë të parë nga Jeremy Bentham në fund të shek 18) të tyre konik që i ngjante një mikro-Babeli10 të përkryer. E rrafshoja me këmbë atë ngrehinë të brishtë, i bindur që ato do ta ndërtonin sërish, në po atë vend ose diku tjetër.

vazhdo…


Featured Photos

Ahriman Gallery R... Posted by author icon Arben Theodhosi Jul 20th, 2011 | Comments Off
Ahriman Gallery R... Posted by author icon Arben Theodhosi Jul 20th, 2011 | Comments Off
Ahriman Gallery R... Posted by author icon Arben Theodhosi Jul 20th, 2011 | Comments Off

Random Photos

Vaj-akrilik Posted by author icon Arben Theodhosi Apr 24th, 2010 | Comments Off
Vaj-akrilik Posted by author icon Arben Theodhosi Apr 24th, 2010 | Comments Off
Vaj-Akrilik Posted by author icon Arben Theodhosi Apr 23rd, 2010 | Comments Off

Top Rated

Vaj-akrilik Posted by author icon Arben Theodhosi
1 Star2 Stars3 Stars4 Stars5 Stars (2 votes, average: 5.00 out of 5)
Loading ... Loading ...
Vaj-Akrilik Posted by author icon Arben Theodhosi
1 Star2 Stars3 Stars4 Stars5 Stars (7 votes, average: 4.57 out of 5)
Loading ... Loading ...
Vaj-akrilik Posted by author icon Arben Theodhosi
1 Star2 Stars3 Stars4 Stars5 Stars (2 votes, average: 4.50 out of 5)
Loading ... Loading ...