MËKATARËT

(kliko ketu  per te shkarkuar katallogun e plote ne format pdf)

Ndër objektet që u krijuan me hijeshi gjatë tallazeve të planetit dhe që për këtë arsye merituan të nderohen si “axis mundi”, mali i shenjtë Kailash mbetet më i veçanti. Kailash është banesa e Shivës(hyjni qendrore e besimit Hindu: Shkatërruesi dhe Transformuesi). Ngjitja në Kailash përbën mëkat kundrejt hyjnisë, ndaj konsiderohet e ndaluar. Megjithatë, mijëra vjet më parë, banorët e Tibetit kuturisën edhe atje një ritual për nevojat e shpirtit. Ky ritual ishte “neykhor” ose “pelegrinazhi Kora”, të cilin sot e kësaj dite e ushtrojnë mijëra besimtarë. Dy ditë ose tre ditë rrugëtim, përgjatë 32 miljeve të peisazhit mahnitës, dhe pelegrini i devotshëm mund t’i bjerë Kailash rreth e përqark me pak ushqim dhe ujë. Një rrotullim i plotë mund ta pastrojë shpirtin nga një jetë e tërë mëkatesh!

Është tepër e vështirë të takosh humanë që nuk mëkatojnë. Sipas shkrimeve të shenjta, ne nuk i qëllojmë dot me gurë(aludohet për historinë biblike: “Ai që është i pamëkat, le të hedhë i pari gurin”) mëkatarit, pasi do të na dhimbte në thellësi të shpirt! Në një mënyrë a një tjetër, ne të gjithë tradhtojmë Zotin, atdheun, familjen ose mirëbërësin…

Mëkati u ngjiz Lart, në gjirin e princërve të Qiellit, kur ata princër nëpërkëmbën kufijtë e vendosur nga Zoti, tunduan njerëzimin drejt së njëjtës prirje dhe merituan së bashku ndëshkimin Infernal. Mëkatari Qiellor mori forma të larmishme: ai u bë luan, gjarpër, dragua, ose përbindësh me flatra(aludohet për Satanin e Dantes, bishën me krahë që ha mëkatarët Brutus, Judas dhe Cassius në Qendrën e ngrirë të Ferrit) që kafshon mëkatarët e famshëm Tokësorë në errësirën e akullt të dëshpërimit. Nga imagjinata e lashtë mesdhetare, mëkatari Qiellor na vjen edhe si një figurë e hijshme njerëzore, e lidhur në majë të shkëmbit dhe e dhunuar nga shqiponja e zezë që i ha mëlçinë(aludim për Prometeun).

Tornadua e përfytyrimeve mbi mëkatin bëhet tepër e prekshme në “Mbretërinë tonë të Sasisë”, ndonëse mëkatet që nuk konsiderohen më mëkate nuk na lënë shumë kohë që të përfytyrojmë mëkatet. Tornadua e imagjinatës sonë është e skicuar në zanafillë. Ajo zgjerohet si Universi përreth nesh, me çiftin e mëkatarëve në qendër, gjithmonë atje, nën “Pemën e Njohjes”.

Ideja “Axis mundi” i gjeti mbi Tokë të gjitha objektet ku mund të mishërohej në mënyrë të suksesshme. Pema ishte ndër më të hershmet dhe më të hijshmet. “Pema e Jetës”, “Pema e Botës” apo “Pema Kozmike” ishin e njëjta gjë, ishin qendra e Botës ose pika e takimit me Mbretërinë e Qiellit. Mbi degët e shenjta të Yggdrasil( “Tmarisku i Shenjtë” dhe “Asvattha” janë ndër më të rendësishmet në tradicionin e “pemës së shenjtë”), perënditë Nordike uleshin çdo ditë për të bërë drejtësi. Trungu i “tamariskut të shenjtë” mbështolli trupin e Ozirisit; pastaj u pre, u përdor si shtyllë në Byblos dhe u bë “shtylla kozmike” rreth së cilës qiejtë rrotullohen. Por më e veçanta mbetet Asvattha. Në Katha Upanishad thuhet: “është Ajo, Asvattha e përjetshme me rrënjën lart dhe degët poshtë. Rrënjën e Saj e quajnë i Ndritshmi, që është vetë Brahma, dhe vetëm Ajo është e pavdekshme. Të gjitha botët përfshihen në Të, dhe asgjë nuk ekziston më tej”. Kjo pemë e përmbysur e Universit nuk mund të njihet nga krijesat e tokës: as ka fillim, as ka fund, as vazhdimësia e Saj nuk është e mundur të perceptohet. Është projeksioni i Unit të Pamatshëm. Rrënja e Asvatthës përhapet drejt qiellit si Princip i realitetit transhendent, ndërsa degët drejt hologramit fenomenal të tokës. Gjethet e Asvatthës fëshfërijnë të vërtetat Vedike, dhe gjithçka përfshihet në Të. Ajo është Aksi i hologramit iluziv të përvojës njerëzore në metafizikën e ekzistencave të panumërta. Shpirtrat transmigrojnë përmes kënaqësive tokësore, shquajnë Realen nga efektet guna-maya(është fjala për “gunas” ose tre cilësitë e Mayas si energji materiale: Sattva, Rajas dhe Tamas (ekuilibër, dinamizëm dhe inerci).dhe rrëzojnë Pemën me sëpatën “asange”! 5000 vjet Epokë Hekuri, Kali Yuga(epoka e demonit (Kali) ose e vesit; e katërta sipas shkrimeve Indiane) ose Mbretëri e Sasisë duken si një ëndërr, si një legjendë dhe stërmundim i qytetërimit! … Megjithatë, tërësia e hologramit përfshihet në çdo pjesë të hologramit dhe, në fund të fundit, përmbi gjithçka që mund të dallojë syri ynë i Brendshëm: Figura njerëzore është “Aksis Mundi” më i përkryer.

***

Pasi mëkatojmë njëherë të vetme, ne dimë që mëkatuam dhe në ç’mënyrë mëkatuam. Pasi mëkatojmë mijëra herë dhe në mijëra forma, atëhere na lind pyetja: ç’të jetë vallë mëkati, sfidë ndaj kufijve të vetes dhe Universit? Në këtë pikë, ne nuk hetojmë më brenda vetes individin e rastit, por njeriun në përgjithësi, njeriun në esencë si një Aksis Mundi i përkryer me të gjithë gjeninë, egoizmin dhe odisenë e tij mbarëhistorike; hetojmë vizionarin e lashtë të Shiva-Natarajas(hyjnia e kërcimtarëve (Sanskrit nata: vallëzim dhe raja: Zot}). Në konceptin “nataraja” përfshihen “shprehja dhe përvoja hyjnore”) dhe fizikanin modern të grimcës tek skicojnë së bashku vallen Kozmike të krijimit dhe shkatërrimit; hetojmë ndërtuesin e zigurateve në Babel, të piramidave në Egjipt dhe të kullave Petronas(çifti i godinave më të larta në botë) në Kuala Lumpurin modern. Në këtë pikë, ne hetojmë realitetet e panjohura të transhendencës dhe imanencës së një Universi ku ndihemi thellësisht të përfshirë, të përfshirë në energji, në materie, në Forma dhe në rituale që sfidojnë, shkatërrojnë dhe krijojnë kufij pambarim. Në këtë pikë nuk ka më rëndësi nëse ne i synojmë lartësitë për ta rivalizuar apo mikpritur Qiellin(figura aludon për dilemën e qëllimësisë së ndërtimit të kullës së Babelit: “rivalizim apo mikpritje ndaj hyjnisë”). Me vështrimin e mëkatarit të pamëkat, vetëm në këtë pikë ne adhurojmë pemën e ndaluar dhe jemi të sigurt për amëshimin.

vazhdo…


Featured Photos

Ahriman Gallery R... Posted by author icon Arben Theodhosi Jul 20th, 2011 | Comments Off
Ahriman Gallery R... Posted by author icon Arben Theodhosi Jul 20th, 2011 | Comments Off
Ahriman Gallery R... Posted by author icon Arben Theodhosi Jul 20th, 2011 | Comments Off

Random Photos

E vecante Posted by author icon Arben Theodhosi Apr 24th, 2010 | Comments Off
Vaj-akrilik Posted by author icon Arben Theodhosi Apr 24th, 2010 | Comments Off
Ahriman Gallery R... Posted by author icon Arben Theodhosi Jul 20th, 2011 | Comments Off

Top Rated

Vaj-akrilik Posted by author icon Arben Theodhosi
1 Star2 Stars3 Stars4 Stars5 Stars (2 votes, average: 5.00 out of 5)
Loading ... Loading ...
Vaj-Akrilik Posted by author icon Arben Theodhosi
1 Star2 Stars3 Stars4 Stars5 Stars (7 votes, average: 4.57 out of 5)
Loading ... Loading ...
Vaj-akrilik Posted by author icon Arben Theodhosi
1 Star2 Stars3 Stars4 Stars5 Stars (2 votes, average: 4.50 out of 5)
Loading ... Loading ...