RITUALI

(kliko ketu  per te shkarkuar katallogun e plote ne format pdf)

Kam përshtypjen se, gjatë periudhës sime studentore, “Diktatura Shqiptare e Proletariatit” shkëlqente në planetin tonë së bashku me “mëkatin”. Masa e gjerë popullore, e udhëhequr nga partia-shtet me diktatorin në krye, mëkatonte çdo ditë, nga mëngjesi gjer në darkë, përkundrejt fesë, pronës, qytetarisë dhe të drejtave njerëzore. Mëkati bëhej edhe më i larmishëm, pasi një masë tjetër mëkatonte ndërkohë kundrejt vetë diktatorit, kundrejt partisë-shtet dhe “popullit revolucionar”.

 

Kjo masë konsiderohej “pakicë” dhe këta njerëz ndëshkoheshin rëndë, sa herë që mëkati kryhej hapur dhe përbënte rrezik për shtetin. Varianti i tretë ishin “mëkatarët e privilegjuar”, anëtarët e familjeve të pushtetshme, ndaj të cilëve shteti mbyllte sytë për sa kohë që mëkati konsiderohej i tolerueshëm dhe nuk rrezikonte sistemin. I favorizuar nga toleranca e përkohshme, unë bëja pjesë në variantin e tretë, pra mëkatoja me lehtësi, duke frekuentuar artin e ndaluar, librin, muzikën apo ndonjë fenomen tjetër të ndaluar… Ndër ngjarjet mbresëlënëse të asaj periudhe, mund të veçoj këtu fjalët e tim-eti, kur tolerancës dhe pushtetit të tij po u

 

vinte fundi. Pak kohë përpara ndëshkimit të tij nga “Miqtë e Ngushtë të Diktaturës”, ai vizitoi atelienë e artit tim të “padenjë” dhe më ofroi këshillën e fundit atërore: “Gjykoje vetë si të duash, por ritualet e tua nuk i shkojnë mjedisit ku jeton”. Kisha dëgjuar dhe lexuar mbi rolin e arteve si “rituale mëkatare” në situata të caktuara historike, por vetëm kaq. Atë ditë të shënuar, vështrimi i preokupuar prindëror më zgjoi për herë të parë kënaqësinë mëkatare të artistit që funksionon.

 

Rituali lind dhe bashkëjeton me luftën për mbijetesë, ndaj është më i vjetër se njerëzimi. Humanët e transformojnë ritualin rrënjësisht nëpërmjet vlerave simbolike që gjeneron bota e tyre e Ideve, e Formave dhe e Artit. “Riti i pasazhit”, “riti i adhurimit” dhe “riti i devocionit personal” janë kategoritë kryesore ku ritualet e humanëve artikulohen mbarëhistorikisht. Duke përfshirë ritualet fetare që bazohen në traditat epokale të besimit, dy kategoritë e para u shërbejnë nevojave shpirtërore në performancë grupi. Obligimi fetar, pranimi në struktura sociale, demonstrimi i respektit, i bindjes apo i nënshtrimit masiv, janë nevoja shpirtërore të pandashme nga performanca e grupit.

 

Faktori i komunitetit është esencial në historinë njerëzore, por shpirti nuk është entitet kolektiv, dhe nëse ky i fundit ka lidhje esenciale me Principin Hyjnor, atëhere lidhja midis botës shpirtërore dhe artit mbështetet esencialisht në Principin Hyjnor. Liria e performancës, si ekskluzivitet i ritualeve të “devocionit personal”, është elementi i përbashkët ku arti dhe rituali bashkohen në një të vetme. Në momentet që do të asgjësonim lirinë dhe individualitetin e performancës, në ato momente ne do të asgjësonim artin. Momente të tilla ndeshen me shumicë në historinë botërore, por një gjë është e sigurt: as diktaturat më të përbindshme nuk mund ta kryejnë këtë asgjësim në mënyrë të plotë dhe rigoroze.

Imazhet e “komunitetit”, të “masave të gjera” dhe të “heroizmit popullor”, soc-realizmi i shndërroi në fantazma që do të abuzonin në mënyrë të skajshme me shpirtin e artistit, me individualitetin dhe me

 

lirinë e artit. Menaxhimi totalitar i ideologjisë komuniste nuk mund të vepronte ndryshe.

***

Piktorët e shquar të realizmit socialist shqiptar gëzonin titujt “Piktor i merituar” dhe “Piktor i popullit”. Fatmir Haxhia ishte ndër më të njohurit. Gjatë viteve të shkollës, më rekomanduan të vizitoja atelienë e Haxhisë për të parë se si punonte “Piktori i popullit”. Si ngjarje që nuk do të përsëritej dy herë, ajo vizitë do të ruhej e pacënuar në memoriet e mia. Vizita koinçidoi kur Haxhia përfundonte “Tendën e Qypit”, një pikturë e dimensioneve të mëdha që i bënte homazh luftës heroike të partizanëve. Figurat e partizanëve mbizotëronin ndaj armikut nëpërmjet qëndrimit heroik, vështrimit të rreptë dhe gjymtyrëve të fuqishme.

 

Figura e borizanit i tejkaloi të gjitha kufijtë e pritshmërisë sime në ato momente: ky luftëtar i fuqishëm i binte borisë së kushtrimit, duke shtrënguar me njërën dorë venën e përgjakur të qafës së tij të plagosur… U vërsolla për një kohë nëpër atelie, duke vështruar me habi herë pikturën dhe herë autorin, i cili vështronte drejt meje me po të njejtën habi. Autori i “Tendës së Qypit” komunikonte me veprën e tij, hynte dhe dilte në veprën e tij, duke parë, duke imagjinuar dhe duke modeluar vetëm heronj.

 

Në studion e Haxhisë, dhe veçanërisht në ato momente, unë u ndjeva një specie e huaj që duhej të largohej për të mos u kthyer më kurrë… Tani që e gjykoj atë vizitë nga distanca kohore e duhur, unë jam i bindur se situata e Haxhisë ishte një “battle trance” e vërtetë, një gjëndje e alteruar e vetëdijes, ku identiteti individual e përfshin ose zhduket përballë identitetit kolektiv. Ishte afobia27 e performancës sublime, e cila mund të pushtojë çdo artist në momente të veçanta. E quaj “afobi që mund të pushtojë çdo artist”, sepse në situata të caktuara, përmes ritualit të devocionit personal, secili prerj nesh mund të gjenerojë një “battle trance”, një forcë sublime që asgjëson kufijtë midis reales dhe simulimit, midis tokës dhe Qiellit. E thënë ndryshe, ky është Arti.

Ndërmjet artistëve dhe mjedisit ideologjik të çdo periudhe, krijohet

 

domosdoshmërisht intersubjektiviteti, interfantazia dhe përfaqësimet afektive që implikojnë memorien implicite. Por, pikërisht duke mos qenë procese të vetëdijshme, asimilimet estetike që formojnë artistin nuk mund të jenë as pengu i së përkohshmes. Buza, Madhi, Haxhia, si edhe të gjithë piktorët e tjerë soc-realistë, asnjëherë nuk mundën të ishin ekskluzivisht soc-realistë. Në sensin e krijimit, arti është rituali më sublim, dhe nuk ka shpellë sokratike(njihet gjithashtu si “Alegoria e shpellës”, “Shpella e Platonit” ose “Parabola e shpellës”, e përdorur nga Platoni në veprën e tij “Republika”)apo qeli diktature që ta izolojë atë totalisht nga imanenca humane, nga vetja, nga Universi.

Realizmi socialist Shqiptar i thuri lavde diktatorit dhe “popullit revolucionar” gjatë 45 viteve të diktaturës më të sëmurë Ballkanike. Nga përvoja botërore, arti soc-realist ishte maska e deformuar e komuniteteve të sëmura. Komuniteti Shqiptar do të shërohej nga plaga e diktaturës gjysmëshekullore nëpërmjet instalimit të demokracisë, një proces ky tepër i ndërlikuar për imagjinatën e entuziazmit fillestar. Shërimi i një komuniteti është shërimi i ndividëve që e përbëjnë…

 

Interesi i artdashësit perëndimor ndaj veprës së deformuar të soc-realizmit nuk është aspak një kapriçio e rastit. Lind pyetja: çfarë fshihet në esencën e kësaj vepre që duhet ta interesojë aq shumë artdashësin perëndimor dhe edhe më shumë artdashësin Shqiptar? Asgjësimi i artit, i lirisë dhe individualitetit të performancës në variantin origjinal shqiptar dhe elementi sadistik-diktatorial që pushton shpirtin njerëzor në situata të caktuara historike – ja e veçanta dhe e përgjithshmja e kësaj vepre. Për fat të keq dhe të mirë, memoriet autobiografike janë vendimtare kundrejt shëndetit mendor të humanëve. Njollat e despotizmit fshehin memorie të pashlyeshme në historinë 5000 vjeçare të qytetërimit botëror: Nëse memoriet e historisë njerëzore i interesojnë seriozisht qytetarit të sotëm artdashës, atëhere ka shpresa, ka shpresa për një “Aksis Mundi” të vërtetë modern, për një vizionar që vazhdon të hulumtojë veten dhe Universin me të gjitha energjitë, format dhe ritualet e së bukurës.

 

Mbi format dhe mjetet e ritualit nuk ekzistojnë kufij të përcaktuar. Imazhi i përgjithshëm do të referohej mbi një varg të gjatë elementesh përbërëse: muzikë e veçantë, tinguj, mantra, manipulim objektesh, tatu, mjedis i veçantë, pije, veshje, vallëzim, akte simbolike të larmishme, sakrifica të çdo forme dhe specieje… Por cila është e vërteta e ritualit? Shumica e studiuesve konvergojnë në “identitetin e grupit”, që do të thotë, sipas tyre, se rituali përforcon sensin e identitetit të grupit. Ndër shembujt tipikë që mbështesin këtë ide mbi ritualin, unë do të zgjidhja “koncertin”, ngjarjen artistike-masive më të zakonshme dhe më çudibërëse. Statistikat mbi përqindjen xhenuine të duartrokitjeve do të ishin qesharake në këtë botë tendencash masive, iluzionesh dhe falsitetesh. Në shumicën e rasteve, ngjarja i shërben identitetit të grupit, sepse në shumicën e rasteve performanca duartrokitet për hir të koncertit. “Ovacioni masiv sugjestionues”, shumë herë është i frikshëm, por jo për t’u përçmuar, nëse respektojmë investimin e padukshëm të komunitetit në formimin e shijeve individuale. Sikur të ishte e mundshme, secili prej nesh do ta dinte me saktësi se në ç’vend, në ç’kohë dhe në ç’mënyrë u investua për shijen e tij individuale; por a ekzistojnë statistika, memorie apo dije të mjaftueshme për ta deshifruar këtë investim, i cili krijohet gradualisht dhe për një kohë të gjatë nga tërësia e dimensionit tonë kohë-hapësinor, nga Historia Botërore?

 

Në fund të fundit, është bota e panjohur ajo që na vjen në ndihmë me realitetet e Formës, të simbolit dhe të artit, ku identiteti individual ndihet veçanërisht i fuqishëm. Është e panjohura ajo që na nxit të frekuentojmë koncertin masiv, të gëzojmë në bashkësi, të duartrokasim ose të meditojmë qetësisht mbi shëmbëlltyrën origjinale të ngjarjes masive, mbi ovacionin sugjestionues, mbi “eferveshencën” e Durkheimit(sociologu Francez David Emile Durkheim konsiderohet si “babai i sociologjisë”) dhe totemizmin… Përmes shëmbëlltyrës sonë, ne shohim forcën e klanit të bashkuar, e cila bën çudira në luftën për mbijetesë; shohim anëtarin e klanit që ndihet pjesëtar dhe kërkon brenda vetes tërësinë e kësaj force të adhurueshme; shohim veten tonë që vazhdon të njejtën udhë mes së mundurës dhe së pamundurës. “Eferveshenca e grupit” në ceremonitë ritualistike vazhdon të na rikujtojë forcën e shenjtëruar të klanit, e

 

cila transmetohej simbolikisht përmes “çuringës(“Tjuringa” ose “Churinga”: objekt me domethënie religjioze i indigjenëve të Australisë Qendrore)” së adhurueshme, çuringës së gurtë ose të drunjtë që fërkohej pas trupit të lënduar të luftëtarit, për ta shëruar, për të bërë çudira dhe për të fituar beteja. Rituali, koncerti dhe çuringa, vazhdojnë përjetësisht të transmetojnë art duke mishëruar stërgjyshin në dimensionet e shkrira të grupit dhe individit.

vazhdo…


Featured Photos

Ahriman Gallery R... Posted by author icon Arben Theodhosi Jul 20th, 2011 | Comments Off
Ahriman Gallery R... Posted by author icon Arben Theodhosi Jul 20th, 2011 | Comments Off
Ahriman Gallery R... Posted by author icon Arben Theodhosi Jul 20th, 2011 | Comments Off

Random Photos

Ahriman Gallery R... Posted by author icon Arben Theodhosi Jul 20th, 2011 | Comments Off
Vaj-akrilik Posted by author icon Arben Theodhosi Apr 24th, 2010 | Comments Off
Vaj-akrilik Posted by author icon Arben Theodhosi Apr 24th, 2010 | Comments Off

Top Rated

Vaj-akrilik Posted by author icon Arben Theodhosi
1 Star2 Stars3 Stars4 Stars5 Stars (2 votes, average: 5.00 out of 5)
Loading ... Loading ...
Vaj-Akrilik Posted by author icon Arben Theodhosi
1 Star2 Stars3 Stars4 Stars5 Stars (7 votes, average: 4.57 out of 5)
Loading ... Loading ...
Vaj-akrilik Posted by author icon Arben Theodhosi
1 Star2 Stars3 Stars4 Stars5 Stars (2 votes, average: 4.50 out of 5)
Loading ... Loading ...