FORMAT

(kliko ketu  per te shkarkuar katallogun e plote ne format pdf)

Platoni është mendja e parë e fuqishme filozofike, e cila e vlerëson të Bukurën si një realitet jashtë-dimensional, duke e renditur atë në “Format” e tij të famshme. Bota Platoniane e Formave nuk e njeh realitetin kohë-hapësinor; ajo është transhendente ndaj botës fenomenale, sepse përfaqëson bazën esenciale dhe të vërtetën e kulluar si një imanencë dhe princip Universal i çdo realiteti. Aparencat fizike janë reale në masën që imitojnë Format. Shumëllojshmëria e botës sonë fenomenale, pra, është shumëllojshmëria e hijeve dhe portretizimeve të Formave në rrethana të shumëllojshme. Format, përfshirë këtu Formën e së Bukurës, janë edhe ekstra-mentale, ekzistojnë përtej realitetit mendor dhe plotësojnë kështu tabllonë Platoniane në lidhje me artin…Frymëzimi hyjnor ose gjenia e “artistit-profet” që zbulon esencat ideale dhe mund ta shprehë të vërtetën më mirë se çdo përvojë tjetër njerëzore, është varianti i fuqishëm që sugjerohet në “Symposium”, përshkon neoplatonizmin dhe influencon perëndimin.

Në oponencë me sa më sipër vjen varianti i “artit si imitim i realitetit”, i cili shprehet në “Republikën” dhe persiston si një epidemi kronike në mendimin e përgjithshëm të çdo epoke. Ky variant mund të përfaqësojë denjësisht botën e iluzioneve, por jo mendimin Platonian mbi botën e artit, nëse këtë mendim nuk do ta lexonim në mënyrë literale. Frika ndaj rrjedhës së artit nuk përfaqëson mendimin mbi të vërtetën e artit.

Një realitet që imiton, që kopjon dhe riprodhohet si ekzistencë e pavarur gjithnjë e më larg origjinalit dhe së vërtetës esenciale, është një realitet efemer ose një art i dobët, është kopja e kopjes që bën stivë iluzionet, është “simulakra” ose “frika Platoniane” e shprehur qartë 2400 vjet më parë! Fatmirësisht, cilado qoftë rrjedha e iluzioneve në tabllonë e historisë së qytetërimit, Forma e së Bukurës obsedon thellë-thellë mendjen njerëzore. Është e pashmangshme! Gjenia e artit përfaqëson vetë Formën, e cila ekziston dhe vetëshprehet si imanencë e shpirtit njerëzor përmes sfidës së individualitetit. E thënë ndryshe, sfida e individualitetit artistik nënkupton gjeninë e shpirtit njerëzor, sa herë që kjo e fundit asgjëson raportin fenomenal realitet-simulim. Në këtë kuptim, arti i vërtetë është shprehje e esencave ideale dhe nuk ka asnjë lidhje me realitetet simuluese efemere.

***

Nëse ekzistojnë Format në vetvete?! Hulumtimi mbi këto ekzistenca bashkëudhëton me historinë e njerëzimit, e cila ndriçohet përmes artit prej së paku 40000 vjetësh. Mbështetur në këtë referencë, nëse përkrahim mendimin Platonian prej vetëm 2400 vjetësh, ne përkrahim arritjen e fundit gjeniale dhe ndoshta ende të pakuptuar mirë mbi Format. Schopenhauer dhe Nietzsche bëjnë gjurmë mbi të njëjtën korsi, duke e konsideruar artin përkatësisht si një “pasqyrë të ideve” dhe si një “vetëtranshendencë, përmes së cilës ne kapërcejmë limitet tona për t’u bërë një me Universin”.

Gjatë kësaj historie të deshifruar “bukur” nëpërmjet artit, është e natyrshme që subjekti krijues të jetë intriguar qysh në zanafillë nga ideja e së Bukurës si një element i varur dhe njëkohësisht i pavarur prej tij, si një ekzistencë e dukshme dhe e padukshme në natyrë, në jetë, në art dhe në vetvete. Por thelbi i intrigës ndodhet në veprën e tij dhe veçanërisht në elementin e saj të padukshëm që filozofia kërkon ta zbulojë, duke hulumtuar lëvozhgën e përkohshme të tendencave, stileve dhe kanuneve. Vuajtja e filozofisë është se intriga rezulton gjithnjë ende e panjohur në përmasat e konceptit dhe jo në intuitën e krijuesit. Habitemi përballë shkëmbit paleolitik me 26 shenjat pararendëse të alfabetit tonë, mrekullohemi përballë pikturës “moderne” të shpellave në Lascaux,

Chauvet apo Altamira(shpella në Francë dhe Spanjë (ndër më të famshmet për përmbajtjen e artit paleolitik) dhe bindemi vetvetiu se gjithçka është e skicuar në zanafillë… dhe gjithçka e skicuar në zanafillë përfshihet në botën e së Bukurës.

***

Imazhi i “gruas së bukur” mbetet imazhi më intrigues që shoqëron subjektin krijues prej statuetave-Venus paleolitike drejt larmisë konsumeriste postmoderne. Nuk është aspak problem nëse statuetat paleolitike me brezin pelvik dhe gjoksin e ekzagjeruar mund të mos jenë edhe aq të bukura për subjektin postmodern; topmodelet e thata postmoderne do t’i shkaktonin të njëjtën keqardhje subjektit paleolitik. Themelin e këtyre shijeve të ndryshueshme ne e kërkojmë në idetë e mbijetesës, në idetë e pjellorisë ose në kanunet e rafinuara estetike. Këto ide ne nuk i perceptojmë, por argumenti i “gruas së bukur” mbetet shembulli tipik i debatit filozofik mbi të Bukurën. Sipas këtij shembulli: “Ne perceptojmë gruan e bukur, por jo Idenë apo Formën e së Bukurës në vetvete”. Është krejt normale: duke qënë të rrethuar nga një Univers i paperceptueshëm në nivelet e tij më të shumta, ajo që na tremb është nëse këto nivele do të ishin inekzistente! E quajmë “shpirt njerëzor” atë çka është më e rëndësishme për ekzistencën tonë, por rrallë herë jemi konsekuentë në besimin e kësaj ekzistence. Mendojmë se kemi kuptuar thelbin e gruas së bukur, pasi e kemi parë, prekur dhe renditur atë në larminë marramendëse të bukurive të perceptuara – një larmi që mund të shumëfishohet nëse shfrytëzojmë shqisat e insekteve apo zgjatimet elektronike – dhe rrallë herë kujtohemi që nuk jemi insekte apo zgjatime elektronike, por mbartës të shpirtit njerëzor, i cili dashuron dhe krijon vepra arti që nuk janë as gruaja e bukur, as kopja e gruas së bukur, por që tregojnë në thelb se “gruaja është e bukur”.

***

Në momente të caktuara të jetës, çdokujt i ofrohet mundësia për t’i ndjerë veprat e artit si shenja që shprehin dhe përjetësojnë esencën e së Bukurës. Përballë artit të madh, edhe studiuesi më i indoktrinuar

 

mund ta gjejë “gjuhën e shpirtit” dhe të hyjë në rezonancë me Formën e vetme të së Bukurës, duke harruar për një moment gjuhën akademike të “Bukurive Viktoriane, Romantike, Abstrakte apo të Konsumit”. Kordinatat historike të studiuesit të sotshëm nuk ofrojnë vetëm iluzione. Ai mund të komunikojë në të njejtën kohë me artin e shpellës, me pikturën e Leonardos, të Van Goghut dhe të Kandinskit jo vetëm brenda mureve të muzèut, por drejtpërdrejt me imagjinatën, me intuitën dhe me qenien e tij, e cila përfshin përvojën e gjithë kësaj historie dhe buron prej saj. Ai mund të mësojë në shkollë se “format e kulluara” dhe pyetjet “a është art” dhe “ç’do të thotë kjo” artikulohen për herë të parë me artin abstrakt dhe, realisht, nën këto pyetje t’i buçasë koka më tepër përballë Davidit të Michelangelos, përballë Mona Lizës së Leonardos apo bizonëve të Altamirës. Studiuesi është stërnip dhe stërgjysh; ai përfaqëson amëshimin dhe s’mund të mjaftohet me të përkohshmen. Brenda pak orësh, në laborator, në planetarium dhe me sy të lirë, ai mund të perceptojë alga, mikrostruktura metalike apo imazhe galaktike të mjaftueshme për t’u imituar nga piktura Kandinski-Pollock në dhjetra e dhjetra breza. Çuditërisht, në botën e studiuesit, “gabimet” shpesh herë rezultojnë gjeniale: Ai mund të mësojë se për herë të parë në artin abstrakt nuk ka referenca reale imitimi dhe ta kuptojë “gabimin fatlum” të këtij mësimi, pasi të ndiejë se ARTI ËSHTË NJË “NATURA NATURANS(shprehje latine e lidhur me filozofinë e Baruch Spinozës. Në ndryshim nga “natura naturata” ose zinxhiri i pafund i produkteve pasive, “natura naturans” është “Parimi Universal i Vetëshkakësisë”)” KURDOHERË I RRETHUAR NGA REFERENCAT E IMITIMIT, POR QË ASNJËHERË NUK PËRFAQËSON REFERENCAT E IMITIMIT. Studiuesi mund të pranojë përkufizimin enciklopedik të Artit si një “krijimtari, veprat e së cilës transmetojnë ide, besime apo imazhe tërheqëse ndaj perceptimit njerëzor”, dhe përballë veprave gjeniale të provojë emocione aspak të ngjashme me këto transmetime. Ndodh ekzaktësisht kështu, sepse veprat e mëdha nuk transmetojnë përkufizimet, por emocionet e një Bukurie që tregon me thjeshtësinë më të përkryer se Arti, NË THELB DHE PËRMBI TË GJITHA, NUK ËSHTË KARTOGRAFI, NUK ËSHTË IDEOGRAMË DHE NUK ËSHTË IMITIM. Në rast të kundërt, filozofët, kimistët dhe fizikanët do të ishin artistët më të mirë, madje të vetmit artistë ekzistues jo vetëm në trevën konceptualiste, por në historinë e plotë të një arti botëror të cilin studiuesi thjesht do ta “lexonte”. Një boshllëk më i madh se ky nuk do të mund të imagjinohej… Gjithsesi, ajo që më bën mua optimist, është fati i studiuesit. Në ditët tona, me një minimum shpenzimesh, ai mund ta shijojë jetën në mes të mrekullive 40.000 vjeçare Endrix, Hankoch, Mozart, Bach, Pollock, Van gogh, Michelangelo, Bronzino, Altamira, Lascaux e kështu pa fund, mrekulli mes të cilave studiuesi do t’i përballte me shumë rezerva si shprehjen e Picasso-s “pas Altamirës gjithçka është dekadencë”, ashtu edhe opinionin e Umberto Eco-s, sipas të cilit “Bukuria nuk ka qënë asnjëherë diçka e dhënë njëherë e përgjithmonë, por ka ardhur duke fituar pamje të ndryshme, në varësi të periudhës historike dhe të trevës. Dhe kjo jo vetëm për bukurinë fizike (të burrit, të gruas, të peisazhit) por edhe për bukurinë e Zotit, të shenjtorëve a të pikëpamjeve”… Në fakt, duke shijuar mrekullitë e Artit botëror, THELBI I BUKURISË, si një FORCË MADHORE që i mundëson studiuesit emocionet sublime, nuk ka të bëjë aspak me ndryshueshmërinë e modës, mjeteve dhe stileve kalimtare historike. Si t’ia bëjë studiuesi nëse basorelievet e Nefertarit, “mikeshës së bukur” të Ramsesit, i shkaktojnë sot emocione më të fuqishme sesa fotot e Kempbell? Ç’është e vërteta, studiuesit i duhet të përballë një sërë vështirësish për ta shijuar jetën. Mes botimeve mbi Artin dhe të Bukurën ai mund të ndeshë një kakofoni ilustrimesh, ku përkrah veprave të artit botëror rreshtohen foto yjesh Holivudianë si Travolta apo Kluni(aludohet për ilustrimet e botimit të Umberto Eco mbi “Historinë e së Bukurës). Në dijenitë e studiuesit, këta yje të filmit, sikurse Matisse apo Cezanne në fushën dhe nivelet e veta, përfaqësojnë thjesht artistin, realizuesin e veprës që duhet t’i transmetojë atij të Bukurën. Ndërkohë, tekstet përsëritin mësimet e lashta mbi Bukurinë që merr pamje të ndryshme në realitetet e shumta si “peisazhi, burri, gruaja apo shenjtori”! Në këtë rast, pse jo, edhe aktori në vetvete mund ta përfaqësojë fenomenin e Bukurisë. Por le ta imagjinojmë pak studiuesin, kur në momentet e lumtura të transit dhe vetëdijes së tij të transformuar përballë “Venerës” së Bronzino-s apo “Mendimtarit” të Rodin-it, dikush i zgjat një foto të Marlon Brando-s. Unë jam i sigurt: pas kësaj “shpulle” studiuesi do ta merrte veten vetëm pasi të shihte “Tangon e fundit në Paris”. Rrugën për ta parë të BUKURËN përmes fenomeneve të bukura, atij mund t’ia ofrojë vetëm Arti. Urinali në banjë dhe guacka në mes të ranishtes as do ta përfaqësonin dhe as do ta transmetonin dot të Bukurën jashtë aktit dhe ritualeve të Artit. Janë ritualet e Artit, të këtij realiteti ekskluzivisht njerëzor, ato që e bëjnë studiuesin të ndjekë udhën e të parëve, duke e parë të Bukurën të funksionojë edhe iluzivisht në realitetet iluzive të horizontit, të qiellit që ndahet nga toka, të guackës në mes të rërës, të peisazhit mahnitës detar, yjor apo të shenjtëruar. Ekziston pra një kontradiktë, të cilën studiuesi e trashëgon prej mijëra vjetësh në çdo aspekt të saj, jashtë dhe brënda realiteteve të krijuara prej njerëzimit. Ai frekuenton bukurinë e konsumit, veshjet, makinat luksoze apo modën e simboleve mediatike, pa u shkëputur aspak nga “Bukuria provokuese” e artit të avangardës. Këtë kundërti që Eco e cilëson si “kundërtinë tipike të shekullit xx”, studiuesi e trashëgon në fakt nga stërgjyshërit e tij të nderuar antikë, të cilët krenoheshin si për armatimet, anijet apo veshjet e stilizuara me shumë elegancë, ashtu edhe për artin e Phidias-it, të Praxiteles-it, të Giotto-s apo të Botticelli-t. Konsumerizmi, tendenca për tu identifikuar me produktet që konsumojmë, lindi shumë kohë përpara botës kapitaliste të studiuesit. Duke besuar se efekti i lëmshit sasior nuk është aspak një argument i mirë, unë mendoj se studiuesi, ndryshe nga “eksploruesi i ardhshëm” i Umberto Eco-s, nuk “do të dorëzohet përballë orgjisë së durimit dhe sinkretizmit tërësor të hyjnive të Bukurisë”. Kultura e tregut, moda, brandi komercial apo tundimi nga status-simbolika e niveleve të luksit nuk mund ta asgjësojnë lirinë e studiuesit. Si jetë e mot, ai do t’i shijojë të gjitha iluzionet, jashtë dhe brenda realiteteve të krijuara prej njeriut; do të mahnitet nga pamja e horizontit, do të ndjekë modën, do të luajë me hijet, do të imitojë e prodhojë ç’të mundë deri në iluzionet e “simulakrës triumfuese” të Jean Baudrillard dhe, njëkohësisht, si jetë e mot, do të përfaqësohet në veprat madhore dhe do të gëzojë botën e ARTIT TË VËRTETË. Për fatin e tij të pazëvendësueshëm, ai jeton realitetin “deus sive natura” dhe përfaqëson një imanencë që e lejon imitimin vetëm në nivelet e parodisë, të qesharakes dhe të argëtimit. Sa për të Bukurën, si Formë esenciale dhe imanente e këtij realiteti, ajo shprehet në mënyra origjinale përmes Artit të madh të çdo epoke dhe nuk ka nevojë të “imitojë vetveten”. Fati i studiuesit është se nëpërmjet Artit ai ndihet Forcë Universale e vetëmjaftueshme.

Momentet për të ndjerë Artin si një realitet që shpreh dhe përjetëson esencën e së Bukurës, mund të na ofrohen në rrethana krejt të veçanta. Nuk bëj fjalë për ritualet e krijuesit. Të fshehtat e kësaj bote mund t’i përfaqësosh, t’i perceptosh dhe t’i njohësh edhe pa qenë “artist” ose “profet”. Antropologu gëzon “momentin e famshëm etnografik” për hir të profesionit, por një moment të ngjashëm ne mund ta gëzojmë të gjithë, për hir të empatisë, përballë veprave të Artit. Duke u bërë gjithnjë më masiv dhe i pashmangshëm, komunikimi ynë emocional me krijimtarinë 40000 vjeçare na provon gjithnjë e më shumë se vepra e Artit është pasqyra e Unit që sfidon çdo kufi historik kalimtar.

vazhdo…


Featured Photos

Ahriman Gallery R... Posted by author icon Arben Theodhosi Jul 20th, 2011 | Comments Off
Ahriman Gallery R... Posted by author icon Arben Theodhosi Jul 20th, 2011 | Comments Off
Ahriman Gallery R... Posted by author icon Arben Theodhosi Jul 20th, 2011 | Comments Off

Random Photos

Ahriman Gallery R... Posted by author icon Arben Theodhosi Jul 20th, 2011 | Comments Off
Vaj-akrilik Posted by author icon Arben Theodhosi Apr 24th, 2010 | Comments Off
Ahriman Gallery R... Posted by author icon Arben Theodhosi Jul 20th, 2011 | Comments Off

Top Rated

Vaj-akrilik Posted by author icon Arben Theodhosi
1 Star2 Stars3 Stars4 Stars5 Stars (2 votes, average: 5.00 out of 5)
Loading ... Loading ...
Vaj-Akrilik Posted by author icon Arben Theodhosi
1 Star2 Stars3 Stars4 Stars5 Stars (7 votes, average: 4.57 out of 5)
Loading ... Loading ...
Vaj-akrilik Posted by author icon Arben Theodhosi
1 Star2 Stars3 Stars4 Stars5 Stars (2 votes, average: 4.50 out of 5)
Loading ... Loading ...