EPIFANIA

(kliko ketu  per te shkarkuar katallogun e plote ne format pdf)

“epifania” vjen nga Greqishtja dhe nënkupton manifestimin ose prezencën Hyjnore. Përveç lidhjes me celebrimet fetare kristjane, termi përmban edhe domethënien e “ndriçimit” në përgjithësi.

Gjatë përvojës sime personale, momentet e para të komunikimit sublim me të Bukurën u mundësuan nga rrethanat e vuajtjes në moshën 22 vjeçare(është fjala për periudhën e internimit tim dhe punës së detyrurar në një nga minierat e veriut). Sipas predikuesve të lashtë, vuajtja do të eliminohej nëse do të mund të hiqej dorë nga lakmia. Kjo dukej e pamundur për shumicën e njerëzimit, ndërsa rasti im ishte i pashpresë. Gjatë dy dekadave të para, duke bërë një jetë të privilegjuar për arsyen e rëndomtë se kisha lindur nga prindër të privilegjuar, unë nuk mund të lakmoja, nuk kisha çfarë të lakmoja dhe nuk dija çfarë ishte lakmia. Sipas predikuesve të mençur të budizmit, vuajtja është pasojë e ekzistencës dhe pjesë e ndriçimit për të arritur nivelin ideal të qenies. Duke gjykuar mbi këto premisa, bereqeti i lindjes sime të lumtur do të kishte qenë vetëm errësira, nëse Forcat Madhore që mundësuan lindjen nuk do të gjeneronin papritur edhe vuajtjen. Nga kjo pikëpmje, diktatura, dhuna provinciale dhe të gjithë shkaktarët e drejtpërdrejtë rrethanorë të vuajtjes, përveçse një ushqim i zakonshëm për historianët, ishin forca të përdorura, imorale dhe të parëndësishme.

 

Në kundërshtim me sa prisja nga intuita naive mbi moralin dhe të drejtën, unë do të shkëputesha me dhunë nga jeta e privilegjuar dhe do të vendosesha në mes të maleve shkëmbore, ku do të luftoja për jetën

 

në format e saj lart e poshtë njerëzore gjatë një dekade krejtësisht të ndryshme. Kisha dëgjuar mbi gjykimin Platonian, sipas të cilit Drejtësia është “harmonia efektive e së tërës” dhe jo “e drejta e më të fortit”, por me sa dukej po përjetoja vegimin e të dyjave.

***

Galeritë e minierës ngjasonin në mënyrë identike me shpellat natyrale që kisha vizituar gjatë fëmijërisë, kur imagjinata ishte ende e painfluencuar nga memoriet dhe besimet e përpunuara. Në brendësi të shpellës, jehonat intime, hijet, kavitetet dhe protuberancat shkëmbore që lëviznin nën ndriçimin vezullues të fenerëve si objekte të gjalla tokësore dhe qiellore, ofronin imazhin e një maketi të Universit, në qendrën e të cilit Ti bëheshe një me Gjykatësin e çdo dhune, me Krijuesin dhe me të Përtejmen. Nuk ka minator, por nuk ka edhe fëmijë që të ketë vizituar një shpellë dhe të mos e ketë përjetuar sadopak këtë vetëdije të alteruar.

 

Pamja e minatorëve ishte në çdo detaj një pasqyrë e mjedisit të ashpër. Rrudhat e tyre rivalizonin plasaritjet e shkëmbinjve, ndërsa energjia e tyre zbulohej në galeritë që hapnin çdo ditë për të mbajtur gjallë jetën dhe universin e tyre. Përse nuk i kisha njohur përpara moshës 22 vjeçare? Sepse “Harmonia e së Tërës” nuk ishte lidhur ende me Judën për të vënë në punë “të drejtën e më të fortit”! E thashë këtë për metaforë, por e vërteta është se, pa u bërë pjesë e atij mjedisi të ashpër, si vizitor i një bote tjetër – qoftë dhe më i devotshmi në hulumtimet dhe misionet humane – atë realitet unë nuk do ta kisha njohur kurrë. Emocionet, besimi dhe memoriet e mia ishin tronditur tashmë në një shkallë që vetëm “njeriu i ashpër” do të mund ta përballonte. Do të vuaja nga ajo që urreja, kisha humbur atë që kisha dashuruar dhe do të dëshiroja pa e pasur atë që dëshiroja: Këto ishin tre format e vuajtes, ishin “dukkha(përgjithësisht përkthehet “vuajtje”; identifikohet si e para ndër katër të vërtetat e predikuara nga Buddha)” ose e vërteta e parë e budistëve, jashtë së cilës unë do të kisha gëzuar vetëm errësirën, vanitetin dhe iluzionet e një kryeqyteti diktatorial. Nëse minatorët e tjerë e përjetonin ndryshe të vërtetën budiste, kjo kishte pak rëndësi për mua. Unë duhej të mbijetoja, t’i

 

njihja, të shprehesha në rrethanat e tyre, dhe forma më e përkryer për këtë ishte Arti. Galeritë ishin një mjedis pune dhe shfrytëzimi, por atje nuk mungonte asnjëherë momenti i bukur kur minatorët shprehnin pa rezerva botën e tyre të brendshme, duke ndihmuar më të dobëtin, duke bërë humor, duke kënduar apo treguar historitë e pazakonta të të parëve. Memoriet ishin pasuria më e çmuar dhe më e dashur që ata kishin… Kthehesha në shtëpi tepër i lodhur, por mbresat dhe imazhet e rëndësishme të atij mjedisi nuk i shmangeshin asnjëherë memories sime të përditshme. Modeloja portretet e minatorëve në vaj, laps të thjeshtë ose karbon, i varja në muret e dhomës për t’i vështruar më ngè dhe habitesha me rrudhat, me kavitetet dhe protuberancat e tyre të gjalla që lëviznin dhe ndryshonin çdo ditë. Të nesërmen i referohesha sërish atij mjedisi të ashpër, vështroja shkëmbinjtë e thyer përkrah mimikave të lëvizshme nën vezullimin e fenerëve dhe, pse jo, ndihesha mirë që këtë përfytyrim animist e trashëgoja prej stërgjyshërve të largët, prej krijuesve të famshëm paleolitikë që në çdo pëllëmbë të mjedisit shihnin një formë të ekzistencës së vet. Zanafilla e njeriut modern ishte komunikimi me Gjithësinë.

***

Historinë e artit mund ta mësosh nëpër libra, por botën e artit nuk mund ta njohësh pa ndierë Formën e së Bukurës. Këtë konkluzion të shpërfillur nga tekstet shkollore, unë fillova ta realizoj në momentet e “vuajtjes”, kur besimet dhe memoriet e mia pësuan tronditjen e rëndësishme. E dija prej kohësh që e Bukura funksiononte ekskluzivisht përmes veprave të artit, por efekti i tyre nuk më kishte përfshirë ndonjëherë aq seriozisht sa në ato momente. Dramën e Sophocles-it, mermerin e Praxiteles-it dhe të Michelangelo-s, forcat e errëta të Goya-s apo britmën e Munch-ut, asnjëherë nuk i kisha ndierë aq pranë vetes. Kërkoja emrin e përshtatshëm të kësaj situate, por “edukimi estetik”, “kënaqësia”, “nxitja e mendimit krijues për të zgjidhur problemet e jetës”, “transmetimi i ideve, i besimeve apo memorieve” po më ngjanin tashmë si një tufë fjalësh të fryra, pa lidhje dhe krejt të dyshimta. Do të kisha qenë rehat sikur të më kishte lënë në baltë inteligjenca, por vetë-kontrolli më siguronte përmes intuitës se

 

isha i shëndetshëm. Më duhej thjesht të mbijetoja, pra të mësoja sa më shumë për të siguruar vazhdimësinë.

 

Në shumë raste, të mësuarit është verifikimi i intuitës përmes një morie imazhesh, konceptesh dhe konstantesh logjike në rrethana të caktuara. Në të gjitha rastet, pa përjashtim, të mësuari është modifikimi dinamik i memories, bazës së inteligjencës sonë. Një sistem i të mësuarit ka kuptim nëse në kohën t1 ai është i ndryshëm nga ç’ishte në kohën t0. Nga kjo pikëpamje, të harruarit ka gjithashtu pjesën e vet në procesin e të mësuarit, i cili varet nga materiali i regjistruar në vazhdimësi. Çdo fjalë që lexojmë dhe çdo pamje e re që shohim ndryshon në njëfarë mënyre memorien tonë, pasi roli i kësaj të fundit është interpretimi i pandalshëm i të dhënave. Memoria duhet të vendosë çfarë ia vlen ose jo të ruhet, duke vlerësuar se në ç’mënyrë, ku dhe sa përshtatet materiali i ri në raport me njohjen dhe të dhënat e mëparshme. Duke qenë pra se memoria nuk është magazinë depozitash alfabetike të palëvizshme, por shprehje e gjallë e asaj që mësojmë gjatë jetës sonë si individë, atëhere, për pasojë, rrisku i interpretimit difektoz të realiteteve të distancuara është një rrisk gjithashtu i pashmangshëm… Sigurisht, në këtë rast na vjen në ndihmë thesari i pavetëdijes kolektive, “arketipet” ose “imazhet primordiale” – të vlerësuara këto nga Jung si një thesar i trashëguar, ku njerëzimi shprehet simbolikisht përmes besimeve dhe miteve që u rezistojnë mijëvjeçarëve – ndonëse problemi sërish insiston, pasi mitet, besimet dhe imagjinata kolektive ndryshojnë edhe ato në njëfarë mase me ndryshimet e rëndësishme të kushteve të jetës, duke e larguar individin, shumë herë artificialisht, nga “imazhet primordiale” dhe dispozitat universale psiqike të lindura.

 

Për ta njohur një realitet, duhet domosdoshmërisht të jesh ose të bëhesh pjesë e tij. Me realitetet e distancuara kohë-hapësinore ndodh e njejta gjë: të jesh ose të bëhesh pjesë e tyre është një proces i vështirë, por aspak i pamundur. Shëmbëlltyrën tipike të kësaj vështirësie mund ta gjejmë tek gjykimi ordiner ndaj ritualeve paleolitike. Ky gjykim u referohet rudimenteve shamaniste të periudhës së qytetërimit, projekon

 

në shpellat parahistorike shprehjet e dekompozuara të magjisë imitative dhe i prezanton krijuesit paleolitikë si “subjekte inferiore” që luftonin vetëm për t’u shumuar, për të ngrënë bizonin dhe për të ngadhnjyer mbi klanin armik. Gjykimi ordiner e ka të pamundur të inkuadrojë në shpellën paleolitike performancën e Artit të vërtetë, së pari, sepse Arti për gykimin ordiner nuk ka kuptim jashtë “lëvizjeve artistike” dhe së dyti, sepse ky gjykim nuk ka asnjë lidhje me impulset esenciale të Unit dhe me Formën e së Bukurës. Ky dhe të gjithë shembujt e mundshëm të marrë së bashku, provojnë faktin e rëndësishëm se mundësia për të qenë pjesë dhe për të njohur realitetet e distancuara historike nuk është thjesht një mundësi, por një atribut inherent njerëzor që zhvillohet tek individët në varësi të personalitetit. Vetëformimi i personalitetit si një e tërë koherente ose “individuacioni(“principum individuationis”)” – i vlerësuar në të gjithë spektrin Jung-Simondon ku subjekti individual dhe ai kolektiv konvergojnë si një proces i pandalshëm – përbën kushtin më të rëndësishëm në njohjen e botës së Artit. Individuacioni është proces, ndaj nuk përfundon asnjëherë dhe nuk është i njëjtë në individë të ndryshëm. Për mua, nuk ka rëndësi nëse individi është shkaku apo pasoja e individuacionit, por fakti që ky proces mishëron tek individi përjetësisht, tani dhe këtu, të gjithë kohë-hapërirën e një përmbajtjeje e cila gjatë lëvizjes progresive mund të ndryshojë dhe të humbasë gjithçka përveç esencës së vet… Kontakti me veprën e Artit nuk çon aspak domosdoshmërisht në kontaktin me Formën e së Bukurës, pasi ky i fundit varet gjithashtu nga personaliteti. Kontakti me Formën e së Bukurës është përmbushja e impulsive esenciale të unit, është në njëfarë mënyre kontakti me Taon(Tao ose Dao në gjuhën Kineze do të thotë “udha” dhe disa herë më gjerësisht “doktrina” ose “principi”)ose me “udhën” që nuk mund të përshkruhet me fjalë dhe as të konceptohet me mendim. Që të lidhesh me Taon, me realitetin jashtëdimensional, të përhershëm e të pandryshueshëm, duhet të zhvishesh nga “persona”, nga maska dhe e panatyrshmja që përbëjnë botën iluzore. Këtë proces unë e quaj me bindje të plotë: “procesi i së Bukurës”.

 

Raporti midis “persona” dhe “privacy” përfaqëson elementin më të rëndësishëm në shprehjen e personalitetit individual. Për t’iu përshtatur kërkesave të shoqërisë, ne krijojmë maskën, të ashtuquajturën “persona”,

 

prapa së cilës fshihet “privacy”. Në qoftë se do të neglizhonim maskën, ne do të konsideroheshim mospërfillës ndaj normave të shoqërisë dhe kjo do të na e bënte jetën të vështirë; në qoftë se do ta mbivlerësonim maskën, ne do të rrezikoheshim nga identifikimi i tepruar me “rolin”, duke rrezikuar kështu identitetin e vërtetë dhe të natyrshëm të Unit. Harmonia e raportit persona-privacy varet si gjithnjë nga personaliteti. Ideja sipas së cilës kjo harmoni është më e madhe në shoqëritë primitive, ndonëse jo edhe aq e gabuar, është një ide e krijuar gjatë zhvillimeve sasiore, të cilat në stadet e avancuara të konsumerizmit kamuflojnë gjithnjë e më shumë zhvillimet e personalitetit dhe zhvillimet e botës së vërtetë të Artit… Kontakti me artin primitiv nuk çon domosdoshmërisht në kontaktin me Formën e së Bukurës, por në rretana të caktuara ofron kushtet më origjinale për këtë arritje. Gjithçka që përfshin bota e së Bukurës, është e skicuar në zanafillë.

***

Gjatë historisë zyrtare të vuajtjes sime, përpara përballjes me galeritë e minierës, më duhej të kryeja çdo ditë ritualin fillestar të udhës malore e cila zgjaste jo më pak se 25 minuta përmes një dhiareje të rrethuar nga shkëmbinj dhe halorë. Momentet e preferuara ishin mëngjesi, kur ketrat ngjitnin rrufeshëm trungjet e pishave të larta dhe veçanërisht mesnata, kur kthjelltësia e Kashtës së Kumtrit më bënte të merrja frymë thellë dhe të ndihesha pjesëtar. Në hyrjen e galerisë, gjeja përherë gurë të rrëzuar nga mbingarkesat e vagonave dhe mbeturina trungjesh të prera nga karpentierët. Qysh nga ai moment, rituali vazhdonte përkrah minatorëve. Uleshim mbi trungjet e prera, kontrollonim llambat e ndriçimit, ndiznim nga një cigare dhe vështronim njëri-tjetrin si luftëtarët e regjur përpara një beteje që u rridhte në gjak prej mijëra vjetësh së bashku me kodin gjenetik… Nuk e di për ç’arsye, por një detaj i ditës së parë nuk më shkulet asnjëherë nga memoria. Ndizja cigaret njëra pas tjetrës në sheshin përballë hyrjes së galerisë dhe vështroja minatorët si fillestari që nuk dëshiron të ngjajë fillestar. Një brumbull fluturak qarkullonte rreth kokës sime, por unë e largoja me dorë duke vështruar

 

Markun, minatorin 50 vjeçar, i cili më shqiptonte me një buzëqeshje miqësore këshillën më të çuditshme në botë: “Mos e largo, sepse është meleq (Turq melek, Arab malak), ëngjëll mitologjik që përfytyrohet si lajmëtar hyjnor.), është i mirë!” Për një malësor që mbante mbi kurriz të gjithë komedinë dhe dramën njerëzore, brumbulli-meleq duhej të ishte me siguri i mirë!

Hyja drejt thellësive të nëntokës dhe vështroja njollën e ndritshme të botës së jashtme sesi shndërrohej në një pikë gjithnjë e më të vogël dhe të pazëshme. Atë njollë, në dukje të vogël dhe të pazëshme, unë e mbartja tashmë në zemrën e galerisë si çdo minator tjetër, me të gjithë dramën dhe komedinë e vet. Për 8 orë në ditë, ai mjedis i mbyllur ishte maketi i një universi ku duhej të fokusoja të gjithë kapacitetin tim fizik dhe intelektual: Merrja udhëzime, dhunoja shkëmbin për të nxjerrë mineralin, tregoja nga përvoja ime, dëgjoja këngë të gëzuara ose të trishtuara si edhe rrëfime të pazakonta mbi një konflikt, një dashuri të humbur, një hakmarrje apo një falje… Gjatë rrugës së kthimit, shoqëria e ketrave dhe e yjeve ishte magjia e parë që tentonte të më fashiste lodhjen nga ajo punë Trojanësh. Brenda mureve të shtëpisë, nëna ofronte komoditetin dhe dashamirësinë më perfekte përmes një portreti që modelonte fshehtas lutje ndaj qiellit, ndaj nëntokës dhe ndaj vetes. Dëgjoja në radio zërat e përtejdetit, shfletoja dramën, poezinë, pikturën e përzgjedhur nga enciklopeditë botërore të artit pamor dhe përfundoja çdo herë përballë krijimeve të mia, përballë figurave mitike, minatorëve dhe gurëve të thyer. Ishin krijimet e mia, sepse tashmë i referohesha realitetit tim origjinal dhe nuk kisha asnjë mundësi të kopjoja, asnjë mundësi të imitoja diçka tjetër përtej vetes. Kufiri midis meje dhe Qiellit ishte një kufi iluziv. Në botën e iluzioneve zbuloja tashmë anë e kënd të çara, shquaja përmes tyre të Bukurën dhe ndieja lumturi në thellësi të shpirtit. Në çdo kordinatë që projektoja vështrimin, unë depërtoja brënda vetes. Dimensioni kohë-hapësinor ndodhej tërësisht brenda meje, ndaj dhe memoria me përvojën më ofronin gjithçka nëse doja. Arti i vërtetë realizohej në momentin e duhur dhe shquhej nga distanca e duhur.

 

Është viti 2012. Tani ndodhem brenda mureve të ateliesë sime në kryeqytet. Ketrat, yjet, galeritë dhe shpellat e fëmijërisë ndodhen sërish atje, përballë vështrimit tim. Unë mbetem përgjithmonë krijuesi dhe vëzhguesi i tyre nga Toka, nga antipodet e lëvizshme të galaktikës, nga brenda, nga jashtë saj dhe nga kudo. Ideja e një bote përtej-oqeanike ku rriten përbindsha dhe jo njerëz, është tepër folklorike tani për mua. Rëndësia e nocionit të “vëzhguesit që bëhet pjesë e sistemit të vëzhguar(nocioni i “vëzhguesit që bëhet pjesë e sistemit të vëzhguar” është një nocion i ri i fizikës kuantike, ku vëzhguesi nuk është më i jashtëm ose neutral: Në procesin e matjeve, ai bëhet vetë pjesë e realitetit të vëzhguar)” i ka tejkaluar me kohë kufijtë e fizikës. Dikotomia e Universit të pavarur nga vëzhguesi dhe Universit vëzhgues ose të krijuar prej vëzhguesit, mbetet një problem i kufijve dhe i botës sasiore të padurimit njerëzor. Mirëpo Arti është shembëlltyra unike e Krijimit dhe në botën e Krijimit padurimi nuk është aspak një argument i mirë.

Pikturoj çdo ditë, organizoj ekspozita, studioj lëvizjet artistike të qytetërimit dhe ndiej tundimin fillestar të egos artistike tek rrjedh më shpejt se koha brenda artistëve të mijëvjeçarit. A do të ishin ata në gjendje të përfundonin linjat mahnitëse të magalocerosit në Lascaux, të humanëve elegantë, të kuajve dhe bizonëve të gjallë në skenat e gurta, gjigante dhe të mistershme të Altamiras? Është një lumturi që ata vazhdojnë!

vazhdo…


Featured Photos

Ahriman Gallery R... Posted by author icon Arben Theodhosi Jul 20th, 2011 | Comments Off
Ahriman Gallery R... Posted by author icon Arben Theodhosi Jul 20th, 2011 | Comments Off
Ahriman Gallery R... Posted by author icon Arben Theodhosi Jul 20th, 2011 | Comments Off

Random Photos

Vaj-Akrilik Posted by author icon Arben Theodhosi Apr 24th, 2010 | Comments Off
Vaj-akrilik Posted by author icon Arben Theodhosi Apr 24th, 2010 | Comments Off
Ahriman Gallery R... Posted by author icon Arben Theodhosi Jul 20th, 2011 | Comments Off

Top Rated

Vaj-akrilik Posted by author icon Arben Theodhosi
1 Star2 Stars3 Stars4 Stars5 Stars (2 votes, average: 5.00 out of 5)
Loading ... Loading ...
Vaj-Akrilik Posted by author icon Arben Theodhosi
1 Star2 Stars3 Stars4 Stars5 Stars (7 votes, average: 4.57 out of 5)
Loading ... Loading ...
Vaj-akrilik Posted by author icon Arben Theodhosi
1 Star2 Stars3 Stars4 Stars5 Stars (2 votes, average: 4.50 out of 5)
Loading ... Loading ...