HYPER-BABEL

(kliko ketu  per te shkarkuar katallogun e plote ne format pdf)

Në mjedisin kohë-hapësinor të Paleolitikut të Lartë – një periudhë 10 herë më e gjatë sesa epoka e jetuar e Krishtërimit – ne gjejmë dëshminë e parë më të plotë të historisë së njerëzimit përmes artit të mrekullueshëm të shpellave. 300 site të njohura përgjatë territorit Europian dhe studiues që bëjnë fjalë për mijëra të tjera të pazbuluara. Dëshmia është e pastër dhe do të ndriçohej edhe më mire, nëse imazhi i saj do të çlirohej nga mbingarkesat e artifakteve, nga objektet e punës, të luftës dhe të argëtimit që vazhdojnë për jetë e mot të stilizohen nën estetikën utilitare masive të serisë dhe të simulojnë art. Arti i shpellave është forma e parë e artit të lartë që subjekti krijues i kapacitetit të sotëm intelektual demonstroi në Tokë. Nga pikpamja e formës, siç do të ndodhte për 40000 vjet dhe më tej në mënyrë konsekuente, performanca e këtij arti i referohej raporteve të krijuesit me potencialet simbolike të mjedisit.

Logjika e të dhënave ndërton natyrshëm idenë se shpellat paleolitike ishin interieret më të përkryera për demonstrimet e para të Artit. Mjediset e pikturuara nga artistët paleolitikë u përzgjodhën për thellësinë, hapësirën, akustikën e tyre të përshtatshme dhe asnjëherë nuk u përdorën për banim apo funerale. Interieri shkëmbor i shërbente ekskluzivisht performancës së artit, dëshmi e pastër e së cilës janë piktura murale dhe instrumentet muzikore të punuara me eshtra kafshësh. Qëllimësinë e performancës së artit e dëshmojnë edhe përgatitjet specifike si skelat domosdoshmërisht të nevojshme për pikturën në Altamira, apo përpunimet e okrës dhe dioksidit të manganezit për prodhimin e së verdhës, së kuqes dhe violetit. Specifika e të dhënave provon se, në mënyrë të diferencuar nga zhvillimet konjitive dhe religjioze – gjurmët e të cilave evidentohen paralelisht në morinë e petroglifeve, simboleve ripetitive, konstanteve logjke, piktogramave dhe ideogramave – ritualet e shpellave të pikturuara dëshmojnë për gjurmët e para të një Arti të lartë kompleks.

Në kushtet e realitetit prodhues minimal, artistët paleolitikë ishin në çdo detaj vëzhguesit më të drejtpërdrejtë të krijimit dhe të mjedisit të tyre. Ata nuk e “shpikën” artin “për hir të artit”. Ata projektuan natyrshëm vizionet që prodhonte truri dhe intuita e tyre në situata të stimuluara nga vetë mjedisi. Realiteti sferik i shpellës, anoksia, gjendja e transit, jehona e brendshme e tingujve instrumentalë dhe vokalë, efekti tredimensional i pikturës së realizuar mbi përthyerjet e larmishme shkëmbore, lëvizja e imazheve të krijuara dhe e vetë krijuesve nën vezullimin e pishtarëve – gjithçka në atë interier ishte e përkryer, sepse përbënte nuklin e një arti kompleks dhe autentik që do të shpërthente më pas në format e diferencuara të ateliesë, të teatrit, të koncertit apo të kinemasë. Përballë shkëmbinjve të pikturuar të shpellës, krijuesit verifikonin intuitën, përjetonin jehonat esenciale të Unit, komunikonin me Formën e së Bukurës. Kohë-hapësira e shpellës nuk mund të gjeneronte kurrsesi iluzionet masive të horizontit relativ: rituali ishte një “wormhole(në fizikë, “wormhole” është një moment topologjik hipotetik që nënkupton një “shortcut” ose udhë të shkurtër në kohë-hapësirë)” i vërtetë drejt horizontit absolut, një udhëtim në kohë drejt së vërtetës universale ku krijuesit përfaqësonin “planin e imanencës(“Plane of immanence”: koncepti Deleuzian (Giles Deleuze) i “Një së Tërës absolute)”. Intuita e krijuesve ishte një e vetme me njohjen, me unin dhe me Universin, në manifestimet e të cilit ata shihnin kudo format e ekzistencës së vet. Subjektet e Tokës ishin subjekte të Kozmosit dhe anasjelltas. Në një botë të papushtuar ende nga gara e dikotomive, “amor Dei intellectualis(në filozofinë e Spinozës “Dashuria intelektuale ndaj Zotit është vetë dashuria e Zotit ndaj vetvetes”)” ishte më i vërteti dhe më i besueshmi. Arti i krijuesve paleolitikë ofronte bësnikëri maksimale në shfaqjen e thelbit të vet: Si manifestim i parë i Formës jashtë-kohëhapësinore të së Bukurës, ai nuk mund të pajtohej me dualitetin. Ekzistenca e realiteteve të ndara kozmike dhe njerëzore ishte për krijuesit paleolitikë një absurditet total, një fantazmë mitologjike me dy krerë, ende e pakonceptuar. Nëpërmjet artit të tyre, REALITETI I KRIJUAR konfirmonte procesin e pakthyeshëm të historisë njerëzore në Tokë – dhe kjo ishte më e rëndësishmja.

Gjatë historisë së qytetërimit, brënda një periudhe të shkurtër do të shfaqej papritur bota iluzivisht e copëtuar që ne perceptojmë, bota e ndarë midis realitetit-referencë dhe atij të riprodhuar. Akumulimin e prodhimit do ta shoqëronte iluzioni i simboleve gjithnjë e më të pavarura nga referenti real ose nga natyra mëmë, e cila tashmë nënkuptonte vetëm modelin fillestar të simboleve, të riprodhimeve dhe përfaqësimeve. Subjekti krijues do ta identifikonte veten me këto përfaqësime deri në vanitetet e imagjinatës postmoderne të “hiperrealitetit”, një situatë kjo ku simulimi do të veçohej si superior ndaj botës reale. Jean Baudrillard do të formulonte idenë e bujshme të hiperrealitetit, sipas së cilës “simulakra triumfonte tashmë mbi historinë”. Universi do të vazhdonte të zgjerohej, do të rezultonte gjithnjë e më i panjohur, por do të imagjinohej si një botë e jashtme dhe si për mëshirë do të quhej ende “realitet”! PJESA DO TË NDIHEJ E NDARË, DO T’I KANOSEJ SË TËRËS DHE SUBJEKTI KRIJUES DO TË DEHEJ BRENDA KUFIJVE TOKËSORË ME TË GJITHË VRULLIN E PADURIMIT KONSUMERIST TË KOHËS.

Situata iluzive e “riprodhimit dhe e serisë” do të shkaktonte edhe kohë-humbje dhe dhunë ndaj Artit… Në këtë pikë të rrëfimit, unë do të merrja pak frymë sipas mënyrës së Spinozës, duke rikujtuar me shumë dashuri se “Dashuria intelektuale ndaj Zotit është dashuria e Zotit ndaj vetvetes”. Por dashuria ndaj vetvetes nuk mund të jetë dashuria ndaj një grimce të vetvetes. Bukuria e REALITETEVE TË KRIJUARA nuk do të mund t’i përkiste kurrsesi një mijëvjeçari të vetëm dhe as do të mund të ndërgjegjësohej vetëm brenda tij. Një grusht me “natura naturata” as mund ta rivalizojë dhe as mund të dalë përmbi “natura naturans”, përmbi lirinë, vetë-shkakësinë dhe thelbin e vet imanent. Identiteti koherent i së Tërës kalon përmes “vuajtjes hyjnore” të ndarjes dhe unitetit të së Tërës, përmes procesit të plotë kohë-hapësinor të Universit. UDHËTIMI DREJT KËTIJ UNIVERSI KU NUK KA PËRBINDËSHA, POR JETË NJERËZORE PËR T’U JETUAR, ËSHTË UDHËTIMI I DOMOSDOSHËM QË DO TË KRYHET, PAVARËSISHT NËSE RREMËTARËT(alegori e mbështetur në historinë e shumë detarëve, të cilët imagjinonin ose kishin bindjen se do të ndeshnin përbindësha gjatë udhëtimeve përtej detit) E KOLOMBIT E BESOJNË OSE JO NJË GJË TË TILLË.

***

Ideja sipas së cilës jeta në realitetet e krijuara dhe pushteti i produktit mbi prodhuesin janë dy fenomene të epokës kapitaliste, përbën një ndër idetë kryesore iluzive që vazhdojnë të bëjnë “sukses”. Bota e iluzioneve përfiton nga mungesa e vëmendjes sonë ndaj fakteve dhe memorieve më të rëndësishme të historisë. Dashuria dhe respekti ndaj vetvetes, në njëfarë mënyre janë dashuri dhe respekt ndaj Historisë Botërore. Nuk është aspak e tepërt nëse një fakt të rëndësishëm do ta theksonim herë pas here për t’u shkundur nga skorja e iluzioneve dhe për t’i kujtuar vetes biografinë e vërtetë. Historia e “realiteteve të krijuara” nënkupton historinë e njerëzimit, ndërsa “pushteti i produktit mbi prodhuesin” është ngjarja dominante e epokës së qytetërimit: Ky është edhe fakti më i rëndësishëm, rreth të cilit dritarja e Artit na ofron pamjet më të besueshme. ARTI NUK ËSHTË IMITIM, ARTI NUK ËSHTË KOPJE, ARTI ËSHTË VETË FAKTI, NDAJ ARTI NUK GËNJEN.

 

Në mitologjinë e qytetërimit të lashtë, Krijimi ishte akti më i rëndësishëm, më i dashur dhe më i bukur. Ishte vetë esenca: Krijimi i subjektit dhe i objektit të dashurisë, krijimi i vetë dashurisë, i së Bukurës, i Universit… Dashuria e Pigmalionit(sipas mitologjisë greke: argjendar qipriot, i cili gdhendi një figure gruaje në fildish. Pigmalioni përgjithësisht nuk shfaqte shumë interes ndaj grave, por statuja e tij ishte aq e bukur sa ai papritur ra në dashuri me të. Gjatë ofertave në altarin e Venusit (Afërditës) Pigmalioni shprehu dëshirën që statuja e tij të shndërrohej në një grua të gjallë, dëshirë të cilën Hyjnesha ia plotësoi, sapo që ai u kthye në shtëpi dhe puthi statujën) ndaj statujës së vet të fildishtë, hyrja në statujë e demonit të Hyjneshës, përmbushja e dashurisë së Pigmalionit dhe lindja e pasardhësve Pafos e Metharme nuk përbënin asgjë të pazakontë. Statuja ishte e bukur, dhe me krijimin e vet të bukur krijuesi krejt natyrshëm mund të binte në dashuri. Por, në mënyrë krejt të natyrshme, arti dhe mitologjia e lashtësisë konfirmonin edhe epokën e transformimit të madh, ku produktet do të shndërroheshin në “subjekte të pakontrolluara” dhe do të gjeneronin pasardhës gjithnjë e më të pushtetshëm. Miti i Pigmalionit pra ishte edhe një shprehje autentike e jetërsimit, e pushtetit të produktit dhe e kështjellës prej rëre të “simulakrës”, ku subjektet e qytetërimit do të ngjiteshin verbërisht jetë e mot për të kontaktuar misteret e Qiellit dhe të Unit.

Mendimtarë nga të gjitha epokat do ta konsideronin jetërsimin si një fenomen tipik për shoqëritë e depersonalizuara:

  • Shën Augustini shkruante se, për shkak të natyrës së vet mëkatare, njerëzimi u shkëput nga Zoti dhe rrugëzgjidhja e vetme mbetej besimi tek Krishti.
  • Sipas interpretimit ekonomik të Karl Marx, jetërsimi lidhej me punën, e cila nuk mund të stimulonte kreativitet për sa kohë që përbënte detyrim dhe dhunë mbi shumicën e njerëzimit.
  • Në këndvështrimin e Freud, jetërsimi ishte një vetë-ndarje e shkaktuar nga vetë ndarja midis vetëdijes dhe pavetëdijes.
  • Për Emile Durkheim jetërsimi ishte pasojë e anomisë ose e shkëputjeve të vazhdueshme nga traditat sociale dhe fetare.
  • Ekzistencialistët mendonin se shoqëria njerëzore shquhej për mungesën e pushtetit dhe të kontrollit mbi fatin e vet, ndaj jetërsimi ishte pjesë e pashmangshme e natyrës njerëzore.

Rrëzimi i shtetit diktatorial Shqiptar në vitin 1990 i bashkangjitej atyre momenteve sublime të historisë botërore, kur ideja e kontrollit mbi fatin ringjallej nën një harmoni të re midis individit dhe komunitetit…

Shteti diktatorial Shqiptar rezistoi për shumë kohë si një formacion i izoluar dhe intolerant, por, në kundërshtim më ç’mund të mendohet apriori, një pjesë e mirë e subjekteve të tij realisht nuk e jetuan aspak sistemin zyrtar. Jetën e njerëzve nuk e përbëjnë ushqimi, streha dhe idetë që u ofrohen atyre nga një sistem i caktuar politik. Sado i egër dhe çnjerëzor që të paraqitet pushteti i një sistemi, ai nuk mund ta transformojë natyrën njerëzore përtej caqeve të caktuara. Në Shqipërinë “komuniste” e ngrysën jetën qindra ish-studentë të laureuar përpara lufte në perëndim. Ata u kthyen në mëmëdhe të armatosur me ideale dhe iluzione nga më të bukurat për jetën, për familjen dhe për shoqërinë e re shqiptare. Alelujah, por zhgënjimi nuk është aspak një dukuri e panjohur në historinë e njerëzimit. Të mbërthyer në rrjetën e sistemit diktatorial, ata ish-studentë dhe familjet e tyre veshën gradualisht “maskat e hidhura” të mbijetesës, duke u shndërruar kush më shumë e kush më pak në “persona” të pranueshëm nga një mjedis që nuk do të përputhej asnjëherë me kulturën, me mendësinë dhe tendencat e tyre perëndimore. “Privacia” dhe raportet e tyre shoqërore informale ishin thellësisht konfliktuale jo vetëm me normat zyrtare në përgjithësi, por edhe me produktin zyrtar të vetë krijimtarisë së tyre. Ndërkohë, produkti i tyre zyrtar ndërtoi tërësinë e realitetit jetërsues që ushtroi dhunë mbi vetë fatin e tyre sipas stilit komunist-diktatorial për 45 vjet. Instalimi i demokracisë në vitin 1990 ofroi kështu momentin historik sublim, ku fati i njeriut të dhunuar nga pushteti i padrejtë i dorëzohet një pushteti të drejtë që pretendon të respektojë natyrën njerëzore… Gjithsesi, duke shfletuar një Histori Botërore tepër të begatë me lojën e “pushtetit të drejtë dhe të padrejtë” dhe duke qënë të sigurt që kjo histori ka ende udhë për të bërë, është e kuptueshme përse mendimi ekzistencialist vazhdon të na intrigojë. Rrisku i fatit njerëzor është egoizmi, dhe shprehja më ideale e egoizmit është ideja e pushtetit mbi fatin…

Ç’është e vërteta, dashuria jonë shamaniste ndaj koncepteve të pushtetit dhe kontrollit mbi fatin nuk do të ishte edhe aq e fuqishme, nëse fatin nuk do ta përfytyronim si një varg ngjarjesh kohëhapësinore ku dominon jeta materiale. Ne e kemi të vështirë që fatin dhe shpirtin t’i kuptojmë si realitete esenciale jo kohë-hapësinore. Ne as që duam ta mendojmë se ideja e pushtetit mbi fatin mund të jetë një iluzion dhe se fati thjesht krijohet në formën e historisë së njerëzimit, në formën e realitetit krijues dhe të krijuar ku ideja e pushtetit dhe jetërsimi janë një proces i vetëm dhe vetëm e njejta gjë.

***

Një laborator dhe një observator i mirë nuk ndodhen gjithmonë në Qendrën e Qytetit. E pozicionuar në periferi të Perandorive, Shqipëria nuk pushoi kurrë së qeni një laborator dhe një observator i mirë i historisë botërore. Nuk janë të paktë elitarët me origjinë shqiptare të politikës, të religjionit dhe të artit që bënë histori në perandoritë antike të Egjyptit, Greqisë, Romës, Bizantit e deri të Amerikës postmoderne. Ideja mund të duket ekstravagante, por diktatura komuniste 45 vjeçare nuk e mbylli dot as për një ditë të vetme laboratorin Shqiptar. Gjatë 45 viteve të diktaturës, politikanë kundërshtarë ekzekutoheshin sepse tentohej politikë kundërshtare; fryma e artit perëndimor kontemporan përndiqej sepse ekzistonte fryma e artit kontemporan; piktorë, poetë dhe shkrimtarë dënoheshin, sepse shkelnin normat e artit zyrtar. Komunikimi i kufizuar në format e drejtpërdrejta nuk pengoi aspak që arti dhe kultura botërore e të gjitha epokave dhe kombeve të depërtonte si me magji, elektronikisht dhe fizikisht, përmes librit, radios apo ekranit. Për dy milion subjektet e Diktaturës më të egër ballkanike, niveli kombëtar i informacionit dhe formimit kulturor nuk ishte aspak për t’u përçmuar. Nën një kornizë kaq të pashpresë dhe kontradiktore të fatit, duke ndierë deri në palcë se sa i egër dhe i pashmangshëm ishte jetërsimi për natyrën njerëzore, intelektualët shqiptarë nuk kishin si të mos e përpinin letërsinë ekzistencialiste.

Shqipëria e viteve 90 mikpriti zyrtarisht demokracinë perëndimore dhe për pasojë një proces ku pushteti dhe jetërsimi do të përfaqësonin marrëdhënie të reja në lidhje me fatin. 2600 vjet prej Athinës së Kleisthenesit(aristokrat nga familia e Alkmeonidëve, shek.VI BC, konsiderohet nga historianët si “babai i demokracisë Athiniane”), pasi ngritën perandori të fuqishme në të gjithë rruzullin, liria e shprerhjes politike dhe liria e fjalës po modelonin edhe përfaqësimet konsekuente Shqiptare. 2600 vjet, sidoqoftë, nuk ishin pak për ta thënë me kaq lehtësi fjalën “konsekuente”! Me fjalë të thjeshta “kapitalizmi” dhe “demokracia” nënkuptonin “çfarë” dhe “në ç’mënyrë”, por me zhvillimet e tyre kohë-hapësinore të mangëta, përfaqësimet shqiptare të kapitalizmit dhe demokracisë nuk mund të ishin aspak të përkryera në garën ndërkombëtare “çfarë dhe në ç’mënyrë”. Shprehja më e kulluar e garës do të ishte si gjithmonë ARTI, I CILI NUK MUND TË IMITONTE, NUK MUND TË KOPJONTE DHE NUK MUND TË GËNJENTE. E rëndësishme gjithsesi ishte esenca, me të cilën shteti i ri shqiptar do të merrte denjësisht pjesë në garë.

Këndvështrimi i një pjesëmarrjeje në të shkuarën, në të tashmen apo në të ardhmen është çështje e horizontit relativ kohë-hapësinor. Unë jetoj të tashmen, dhe nëse flas në të shkuarën, këtë e bëj thjesht për kënaqësi estetike…

Nën kapitalizmin shqiptar të korporatës, konsumatori po shndërrohej si kudo në një target dhe subjekt të përdorur. Interesat e monopoleve kontrollonin median dhe për pasojë kulturën që i ofrohej publikut të varur nga media. Shija ishte e diktuar menjëherë pasi subjekti aklimatizohej me frymën mediatike dhe televizive. Zgjedhja reduktohej, duke u kornizuar përmes emrave të firmave nën parimin “ne jemi ajo që veshim”. Konsumerizmi shndërrohej me shpejtësi në një religjion shekullar, i cili kufizonte lirinë e zgjedhjes nëpërmjet një dhune që nuk dukej aspak e dhunshme. Imazhet i publicitetit mediatik bëheshin obsesion kërcënues ndaj proceseve të vetë-njohjes dhe vetë-kontrollit. Joshja mediatike e kapitalizmit të ri influenconte individuacionin e një personaliteti që identifikohej tashmë me fantazinë e reklamës dhe me idealet e konsumatorit, duke humbur si pa e vënë re aftësinë për të vepruar në mënyrë të pavarur nga motivet e konsumerizmit. Natyrisht, kjo joshje e publikut për interesa komerciale kërcënonte simbolikën e vlerave të vërteta. Shou mediatik mund të “zbukuronte” brandin ordiner me backgrounde muzikore nga Mozart, Beatles apo Dylan, pa u bërë hiç merak për situatën e vet komike përkrah madhështisë së këtyre veprave. Efekti i simboleve sociokulturore venitej, shtyhej dhe vonohej, sa më shumë që “magjia e reklamës” rrëmbente pa qënë e denjë për të rrëmbyer dhe rrezikonte pa qenë e denjë për të rrezikuar esencën e simbolikës së Artit. Shprehja politike, fjala dhe shtypi shdërroheshin si me magji në produkte jetërsuese gjithnjë e më të sofistikuara, më të fuqishme dhe më të polarizuara. Zeusi me Poseidonin nuk ishin më Hyjnitë mitologjike që mishëronin dëshira dhe pasione të fuqishme njerëzore, por pushtetet politike të një jetërsimi që hidhte zaret për të ndarë Qiellin dhe Tokën mes individualitetesh ordinerë…

***

Udhëtimet jashtë mëmëdheut ishin të domosdoshme për artistët: Ata ballafaqoheshin nëpërmjet artit dhe ARTI NUK MUND TË GËNJENTE. Gjatë udhëtimit drejt ekspozitës sime të Strasburgut, tranziti në Mynih ishte vonesa më e paparashikuar që më kishte ndodhur ndonjëherë. Katër pikturat e mia “Amfora Femërore” u nxorën nga amballazhi, u fërkuan me tampon pambuku nga një punonjëse e aeroportit dhe qëndruan të hapura rreth 10 minuta, derisa punonjësja e aeroportit u rishfaq për të më uruar udhë të mbarë së bashku me pikturat që rezultuan të “pastra”. Gjatë asaj pritjeje të çuditshme, punonjësit e çekinit vështronin “amforat nudo”, buzëqeshnin, pëshpërisnin me njeri-tjrtrin dhe më pyesnin nëse tabllotë i kisha bërë unë. Imagjinata e tyre në ato momente nuk ndryshonte shumë nga e imja. Ajo që imagjinoja unë në ato momente ishin lëndët narkotike: ekzaminimi në aeroport me siguri që bëhej për lëndë narkotike. Njerëzit përdornin lëndë narkotike për t’u shkëputur nga bota e njohur, për të hyrë në kontakt me botën e panjohur, për t’iu shmangur realitetit që kishin krijuar dhe për të shijuar realitete që ende s’i kishin krijuar. “Amforat femërore” ishin 43 krijime po aq të njohura dhe të panjohura sa vetë bota, por mua nuk më ishin dashur lëndë narkotike për t’i krijuar. Sa të ndryshëm që jemi hera-herës! Imagjinoja njerëzit në gjendjen e transit të natyrshëm dhe të stimuluar duke performuar në atelie, në shpella, në salla të mbyllura apo në stadiume të hapura, dhe habitesha edhe me ngjashmërinë midis meje, udhëtarëve dhe çekinit që i sqaroja ndërkohë autorësinë e veprave!

Domosdoshmëria jonë ishte pjesëmarrja: përderisa krijonim, udhëtonim dhe ballafaqoheshim, nuk kishte rëndësi nëse ishim fillestarë në udhëtimet tona përmes kontinentit, rruzullit apo universit… çdokush ka momentin e vet si laborator dhe observator i universit. Gjatë udhëtimeve përtej mëmëdheut, unë pata fatin dhe momentin tim për të parë vepra si Mona Lisa, David apo Guernica… Grumbuj artdashësish pa fund i fotografonin ato vepra për të fiksuar një kujtim pranë gjenisë së Krijimit. Në ato momente sublime, askush nuk mund të mashtrohej nga gënjeshtra e realitetit të jashtëm, kopjes, imitimit dhe realitetit zëvendësues. Në ato momente sublime intuita shkelte me këmbë çdo formulë të dyfishtë: Përmes çdo fëmije dhe çdo të rrituri, Arti përfaqësonte gjeninë njerëzore që jeton Universin duke krijuar Unin.

Në këtë botë sa të ndryshme aq edhe të ngjashme, mëmëdheu përfshinte gjithçka qysh në gjenezë. Padurimi, lakmija dhe argëtimi kompensonin tashmë natyrshëm tendencat e shtypura për një kohë të gjatë. Fragmentarizimi i kulturës gjeneronte personalitetin multifrenik dhe tendencat neotribaliste jo vetëm në zhvillimet e artit, por edhe në politikë. Parqe argëtimi dhe kazino të vogla përhapeshin si gjethe vjeshte në të katër anët e vendit, thua se erërat e rruzullit shkundnin herë pas here kullat e fuqishme Disneyland e LasVegas. Esenca megjithatë ishte njejtë: Realitetet e krijuara mbi themele “os-astrtagalus (në eshtrat tarsus të kycit: një ndër objektet më të lashta të përdorura në lojërat e fatit si “dice” ose zari i sotëm)” nuk mund të përfaqësonin kurrësesi realitetin e vetëmjaftueshëm jetësor; vetë Disneyland e LasVegas nuk do të mbijetonin as 24 orë jashtë “karburantit” të një Historie Botërore me themele Imago Dei.

Tani, në mëmëdheun e ringjallur, unë mund të shijoja gjithçka nga e para dhe gjithçka në vazhdim: rrëfimet mitologjike të gjyshit, horizontin relativ ku qielli me detin ofronin iluzione të mahnitshme, si edhe kullat konike të milingonave që rrafshoheshin dhe rindërtoheshin pambarimisht. Komunikoja me çdo skaj të rruzullit dhe mezi e besoja që ky hap i komunikimit me Universin ishte i vërtetë. Vështroja nga ekrani pllakat e hartës 120 milion vjeçare të Uraleve(është fjala për shkencëtarët e Universitetit në Bashkir me kontribut kryesor të Dr. Alexandr Shuvyrov, të cilët në vitin 1999 zbuluan prova të pakundërshtueshme mbi ekzistencën e një harte 120 milion vjeçare që implikon ekzistencën e një qytetërimi të avancuar. Harta-relief në pllakë guri përmban teknologji të sofistikuar dhe mbishkrime të një lloji hieroglifik-silabik ende të panjohur.), dhe lexoja me ëndje mesazhin e Dr. Shuvyrov: “Sa më shumë mësoj, aq më shumë marr vesh që nuk di asgjë”. A ishte e mundur që harta të sofistikuara miliona vjeçare të thërmoheshin si lodra fëmijësh përballë këtij Njerëzimi Modest që “nuk dinte asgjë”? Lexoja nga Baudrillard mbi imperializmin e simulatorëve të sotëm që “tentojnë ta bëjnë realitetin, të gjithë realitetin, të përputhet me modelet e simulimi të tyre” dhe lumturohesha përkundrazi nga një idè shumë herë më e thjeshtë, sipas së cilës modelet e simulimit njerëzor nënkuptojnë vetë realitetin, të gjithë Realitetin që është Një dhe i Vetëm.

Filozofia e hiperrealitetit më intrigonte së tepërmi, por “pajtimi i teorisë me realitetin dhe i subjektit me qëllimet” më ngjante si proces dhe jo si “pamundësi(sipas Baudrillard, pajtimi i teorisë me realitetin është një pamundësi; Baudrillard shkruan: “Pamundësia e pajtimit të teorisë me realitetin është pasojë e pamundësisë së pajtimit të subjektit me qëllimet e tij. Të gjitha përpjekjet e pajtimit janë iluzore dhe të destinuara të dështojnë”). Historia Botërore e Artit dhe e Filozofisë më servirte shprehjen e mrekullueshme të një realiteti unik, ku subjekti përputhej totalisht me qëllimësinë e ndriçimit. Veprat autentike të Artit projektonin përpara meje “tabllonë(kjo “tabllo e jetës njerëzore” evokon një fragment nga “Filozofia e historisë” së Hegelit) e famshme të jetës njerëzore në situatat më të ndryshme, me qëllime të shumëllojshme, me ngjarje dhe fate që nuk i përngjanin njeri-tjetrit. Kudo shihja gjëra që më përkisnin dhe që për këtë arsye ngjallnin interesimin tim në favor ose kundër tyre; herë më tërhiqte e Bukura, herë gjallëria, herë të tjera edhe vesi mund të shfaqej si diçka tërheqëse. Shquaja masën vigane të ndonjë interesi të përgjithshëm tek bënte përpara me vështirësi, por edhe më shpesh një ndemje të pafund forcash të vogla, ku diçka në dukje e parëndësishme mund të prodhonte efekte madhështore: një tabllo kjo kurdoherë e larmishme, ku mjafton një gjë të zhdukej që diçka tjetër menjëherë të zinte vendin e saj. Nën fenerin magjik të këtij vargu të pafund ngjarjesh më lindte natyrshëm edhe pyetja: a është e mundur që çdo ngjarje dhe fakt të kufizohet me një qëllim të veçantë apo, përkundrazi, nën cipën e sipërme të kësaj zhurme të jashtme bëhet një punë dhe kryhet një vepër, një vepër e brendshme, e heshtur dhe e fshehtë ku ruhet forca qenësore e të gjitha fenomeneve kalimtare?… Në fund të fundit, ajo që konsideroja me bindje të plotë ishte se BOTA NUK MUND TË JETË NJË VIKTIMË E RASTIT…”

Synoja të isha artist, dëshiroja të isha artist, shpresoja në Artin dhe nuk mund të besoja në një “Grey goo”, “ekofagi” apo “gëlltitje të vetvetes”. Drama dhe komedia fenomenologjike e një Qytetërimi 5000 vjeçar nuk do ta justifikonin dot kurrësesi pesimizmin e artistëve me një histori Realitetesh të Krijuara Bukur prej së paku 30000 vjetësh. I mësuar me rrugët e ashpra dhe pavarësisht nga rrugët e ashpra, në mëmëdheun e ringjallur unë mund të shijoja gjithçka nga e para dhe gjithçka në vazhdim… Tendencat kulturore të kohës po krijonin edhe tek shqiptarët përshtypjen iluzive, sipas së cilës teknologjia dhe komunikimi elektronik rrezikonin raportet normale njerëzore! Njerëzit nxitonin, migronin drejt qytetit nga ana e anës, ndërtonin në mënyra të ligjshme dhe të paligjshme, gëzonin, ankoheshin dhe tundoheshin nga një gjuhe e vetme ndërkombëtare. Nën efektet e jetërsimit, egoizmit dhe pushtetit të përkohshëm, bashkëqytetarët e mi po ndërtonin sipas modeleve të përtejdetit “një reale pa realitet dhe pa origjinë (aludim ndaj idesë së Jean Baudrillard në SIMULACRA AND SIMULATIONS: “Simulimi nuk është më ai i një territori, qënieje referenciale ose substance. Është gjenerimi përmes modelesh i një realeje pa origjinë e realitet: një hiper-reale”.)me majën drejt qiellit. Bijtë e njeriut po ngatërronin sërish me hov të madh dhe përpara kohe disa perandori tokësore me UNIVERSIN!

DHE ZOTI ATËHERE ZBRITI POSHTË, PËR TË PARË QYTETIN DHE KULLËN QË BIJTË E NJERIUT KISHIN NDËRTUAR… (Genesis-11)

 


Featured Photos

Ahriman Gallery R... Posted by author icon Arben Theodhosi Jul 20th, 2011 | Comments Off
Ahriman Gallery R... Posted by author icon Arben Theodhosi Jul 20th, 2011 | Comments Off
Ahriman Gallery R... Posted by author icon Arben Theodhosi Jul 20th, 2011 | Comments Off

Random Photos

Vaj-akrilik Posted by author icon Arben Theodhosi Apr 24th, 2010 | Comments Off
Ahriman Gallery R... Posted by author icon Arben Theodhosi Jul 20th, 2011 | Comments Off
Vaj-Akrilik Posted by author icon Arben Theodhosi Apr 24th, 2010 | Comments Off

Top Rated

Vaj-akrilik Posted by author icon Arben Theodhosi
1 Star2 Stars3 Stars4 Stars5 Stars (2 votes, average: 5.00 out of 5)
Loading ... Loading ...
Vaj-Akrilik Posted by author icon Arben Theodhosi
1 Star2 Stars3 Stars4 Stars5 Stars (7 votes, average: 4.57 out of 5)
Loading ... Loading ...
Vaj-akrilik Posted by author icon Arben Theodhosi
1 Star2 Stars3 Stars4 Stars5 Stars (2 votes, average: 4.50 out of 5)
Loading ... Loading ...